fbpx

Vijojnë përplasjet rreth kompetencave për Matkën

Pushteti lokal dhe ai qendror janë ngatërruar mes veti se cila do të ketë kompetenca më shumë në menaxhimin e Matkës. Andaj po tentojnë të krijojnë një institucion gjithëpërfshirës ndërmjet Komunës së Sarajit, asaj të Sopishtes, Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Ekologjisë. Blerim Bexheti një ditë më parë tha se bëhet fjalë për “Ndërmarrje Publike”, Petre Shilegov sot tha se Bexheti është keqinterpretuar ngaqë bëhet fjalë për “Projekt të përbashkët”, kurse Makraduli tha se bëhet fjalë për “Shërbim partneriteti”. Maja e ajsbergut u arrit me platformat ilegale, njëra e ndërtuar para 10 vjetësh dhe dy të tjerat tani së fundmi. Nga Qyteti i Shkupit thonë se në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit dhe UNDP-në janë duke hartuar një dispozitë të posaçme ligjore përmes të cilës do të saktësohen kompetencat e institucioneve për Matkën. Shilegov thotë se këmbëngul se me këtë ndryshim në Ligjin për Urbanizëm, do të minimizohet ndikimi i pushtetit lokal kundrejt Matkës.

Ardhmëria e Matkës si pasuri natyrore, nuk mundet dhe nuk guxon të varet nga vullneti i subjekteve të caktuara, qoftë ai kryetari i Shkupit apo i Sarajit. Prandaj duhet të kemi vendim të saktësuar ligjor dhe atëherë do të përcaktohen kompetencat. Matka kufizohet me 5 komuna në Maqedoni, kështu që nuk mund të lihet vetëm në duart e një subjekti – tha Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Përderisa zëvendësministri Makraduli fliste për të ardhmen e Matkës, prapa tij lundronin barkat që u nisën nga një platformë ilegale. Makraduli thotë se për përcaktimin e zonave dhe statusit të Matkës janë ndarë 400 mijë dollarë.

Kështu që një detyrë të marrë nga Këshilli i Inspektorëve, kemi ndërmarr një aksion të koordinuar të të gjithë Inspektorateve për në Strugë dhe Matkë, rezultatet e të cilave së shpejti do t’i publikojmë – u shpreh Jani Makraduli, Zëvendësministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë.

Një ditë më parë kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti u shpreh kundër legalizimit të platformave në Matkë, por tha se nuk do t’i rrënoj ato deri sa nuk mbaron afati i ankesave të ndërtuesve jolegal në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, ngaqë druan se mund të paditen nga ta. Për të hetuar se cilat nga institucionet relevante nuk ka zbatuar ligjin lidhur me ndërtimin e këtyre platformave dhe se kush saktësisht ka kompetencë për të ndërmarr masa, ka hapur lëndë edhe Komisioni Anti-Korrupsionit.

Adnan Qaili