fbpx

Vuçiq: Nuk pajtohem me pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë e Merkelit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se idetë e tij për përcaktimin e kufirit me Kosovën kanë dështuar.

“Populli jonë dhe pjesa më e madhe e botës mendon ndryshe”, tha Vuçiq.

Kjo, sipas presidentit Vuçiq, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Serbisë në 20, 30 apo 50 vjetët e ardhshme.

“Unë e di se nuk ka asgjë nga përcaktimi i kufirit, sepse këtë nuk e ka mbështetur askush përveç disa njerëzve të arsyeshëm që i kanë kuptuar mirë interesat serbe. Unë nuk pajtohem me pavarësinë e Kosovës në kufijt që i kanë pranuar Rada Trajkoviq (politikane serbe e Kosovës) apo Angela Merkel (kancelare e Gjermanisë). Idetë e mia kanë dështuar pasi populli serb dhe pjesa më e madhe e botës mendon ndryshe”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, kundër përcaktimit të kufirit kanë punuar jo vetëm ndërkombëtarët që e kanë njohur Kosovën, por edhe politikanët në Serbi që kanë qenë në pushtet gjatë vitit 2008, kur është shpallur pavarësia e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq njoftoi gjithashtu se me datë 9 maj do të vizitojë Shqipërinë. Ai tha se do të ketë “takime të rëndësishme” në Tiranë. Më pas më 10 maj, Vuçiq tha se do të marrë pjesë në paradën ushtarake në Nish pas së cilës do të bisedojë me serbët e Kosovës lidhur me zhvillimet në Samitin e Berlinit.